MAQEDONI

Qeveria me ligj dëshiron ta ndalojë duhanpirjen edhe në vetura!

Qeveria me ligj dëshiron ta ndalojë duhanpirjen edhe në vetura!

Maqedonia e Veriut po përgatit një kthesë radikale në ligjin për ndalimin e duhanit, me masa që pritet të ndryshojnë rrënjësisht mënyrën e konsumimit dhe shitjes së produkteve të duhanit dhe nikotinës. Sipas draft-ligjit të ri për mbrojtje nga pirja e duhanit, i cili do të hidhet së shpejti në debat publik, ndalimi do të vlejë për të gjitha hapësirat e mbyllura me karakter publik, përfshirë të gjitha institucionet dhe objektet e shërbimit, shkruan gazeta KOHA.

Ndalimi do të përfshijë edhe të gjitha objektet hotelierike për ushqim dhe pije, si restorantet, kafenetë, baret, mehanet dhe kantinat. Pirja e duhanit do të ndalohet edhe në terasat e lokaleve, nëse ato nuk janë të hapura plotësisht nga së paku tri anë.

Ligji parashikon gjithashtu ndalim të pirjes së duhanit në automjete në prani të fëmijëve, në stacione autobusi dhe hekurudhore, në tregje, si dhe në një sërë institucionesh dhe hapësirash të tjera publike. Masat e reja do të vlejnë pa përjashtim edhe për cigaret elektronike dhe pajisjet “vape”, ndërsa ndalohet rreptësisht përdorimi i cigareve të aromatizuara.

“Ndalohet prodhimi, importi, shpërndarja, shitja dhe vënia në qarkullim e produkteve të duhanit dhe nikotinës që përmbajnë aroma apo shije”, thuhet në propozim-ligj. Po ashtu, reklamimi i cigareve do të ndalohet plotësisht, ndërsa produktet e duhanit – qoftë tradicionale apo elektronike, nuk do të lejohen të jenë të ekspozuara në raftet e marketeve, duke u hequr nga fusha e shikimit të blerësve.

Drafti i ligjit pritet të publikohet në platformën ENER, duke hapur rrugën për debat publik. Nga Ministria e Shëndetësisë theksojnë se masat janë të domosdoshme dhe synojnë parandalimin e një katastrofe shëndetësore.

“Me këtë ligj parashikohen rregulla më të qarta dhe më të rrepta për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, me fokus të veçantë te parandalimi dhe mbrojtja e fëmijëve dhe të rinjve. Qëllimi është ulja e ekspozimit ndaj tymit dhe aerosoleve, si dhe parandalimi i krijimit të brezave të rinj të varur nga nikotina”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Ndryshe, sipas të dhënave zyrtare, mbi 45 për qind e të rriturve në Maqedoninë e Veriut janë duhanpirës, një shifër dukshëm mbi mesataren evropiane. Gjysma e tyre konsumojnë më shumë se 20 cigare në ditë, ndërsa rreth 4.000 persona humbin jetën çdo vit nga sëmundje të lidhura me duhanin. (koha.mk)