MAQEDONI

Po shqyrtohen ndryshime të mëdha në Qeveri. Driton Sulejmani, Ministër i Arsimit?!

Teksa po afrohet rikonstruimi i paralajmëruar i Qeverisë, në prapaskenat politike po zhvillohen negociata intensive mes partnerëve të koalicionit për ndarjen e resorëve dhe emrat që do të përbëjnë kabinetin e ri qeveritar.

VMRO-DPMNE pritet ta marrë Ministrinë e Shëndetësisë, ndërsa në kuadër të balancimit të partnerëve të koalicionit, Ministria e Arsimit dhe Shkencës do t’i kalonte VLEN-it. Për drejtimin e këtij dikasteri përmendet zëvendësministri i tanishëm i Arsimit, Driton Sulejmani, informon tvfesta.mk

Kryeministër do të vazhdojë të jetë Hristijan Mickoski, poashtu Bekim Sali pritet të mbetet zëvendëskryeministër i parë dhe njëherësh ministër për Integrim Evropian.

Një nga ndryshimet që përmendet është emërimi i Fatmir Limanit në postin e zëvendëskryeministrit për Qeverisje të Mirë, pozitë që aktualisht mbahet nga Arben Fetai.

Ndryshime priten edhe në resorët e sigurisë dhe drejtësisë. Sipas burimeve, Aleksandar Nikollovski do të largohej nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve për të marrë drejtimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ndërkohë, ministri aktual i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, pritet të transferohet në krye të Ministrisë së Drejtësisë.

Në diplomaci, Antonio Milloshoski përmendet si emri që mund të zëvendësojë Timço Mucunskin në krye të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.

Një nga çështjet që ende nuk është mbyllur është ajo e Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas informacioneve jozyrtare,

Po ashtu, Sinisha Ivanovski përflitet si ministri i ri i Transportit dhe Lidhjeve, duke zëvendësuar Aleksandar Nikollovskin.

Në kampin shqiptar, Shkodran Alili përmendet si pasardhës i Besar Durmishit në krye të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, ndërsa Muhamet Hoxha pritet të vazhdojë të udhëheqë Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Abdush Demiri, sipas të njëjtave burime, do të emërohej ministër i Çështjeve Sociale, Demografisë dhe Rinisë, në vend të Fatmir Limanit, i cili do të kalonte në postin e zëvendëskryeministrit për Qeverisje të Mirë.

Pa ndryshime pritet të mbetet edhe Ministria për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, e cila do të vazhdojë të drejtohet nga Ivan Stoilkoviq.

Në mesin e emrave të rinj figuron edhe Pavle Arsovski nga ZNAM, i cili përmendet si ministër i ri i Mbrojtjes. Ndërkohë, Goran Minçev pritet të emërohet ministër i Administratës Publike, pasi më herët ka ushtruar funksionin e ministrit të Drejtësisë.

Sipas burimeve të televizionit Festa, në rekonstruimin e ri pritet të mbetet edhe ministri pa resor për implementimin e Strategjisë së Romëve, Shaban Saliu.

Megjithatë, asnjë nga këto kombinime nuk është konfirmuar zyrtarisht dhe negociatat mes partnerëve të koalicionit vazhdojnë. Vendimet përfundimtare pritet të bëhen publike në javët e ardhshme, kur do të konkretizohet rikonstruimi i kabinetit qeveritar./tvfesta.mk