MAQEDONI

Hoxha – Varank: Forcim i bashkëpunimit me Turqinë në prag të COP31

Në kuadër të MEF 2026, ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, zhvilloi një takim bilateral me Fatma Varank, drejtoreshë ekzekutive e COP31 dhe zëvendësministre e Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve Klimatike të Republikës së Turqisë.

Në takim u shkëmbyen mendime mbi sfidat aktuale klimatike, tranzicionin energjetik dhe përgatitjet në prag të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike – COP31, e cila do të mbahet në Antalya.

Bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e bashkëpunimit bilateral dhe rajonal në përballimin e ndryshimeve klimatike, si dhe nevojën për përshpejtimin e zbatimit të politikave klimatike përmes investimeve, shkëmbimit të njohurive dhe iniciativave të përbashkëta.

Ministri Hoxha përshëndeti angazhimin e presidencës turke të COP31 dhe theksoi gatishmërinë e Maqedonisë së Veriut për të kontribuar aktivisht në proceset që synojnë rezultate konkrete për rajonin.