MAQEDONI

Paga minimale, Filipçe: Qeveria nuk merret me problemet reale

Lideri i socialdemokratëve, Venko Filipçe, nuk pajtohet me asnjë politikë të zbatuar të Qeverisë, e sidomos me tentimet e përfaqësuesve të ekzekutivit për t’i bindur qytetarët se mund të jetohet me pagë minimale prej rreth 400 eurosh.

“Kjo Qeveri e VMRO-DPMNE-së, Lëvizjes “E di” dhe e VLEN-it për 10 muaj ka treguar se nuk di dhe më e keqja, nuk dëshiron të merret me problemet reale të popullit. Vendi nuk ka pasur kurrë Qeveri më të paaftë, nuk ka asnjë fushë apo sferë në të cilën po ndodh diçka e mirë. Shikoni çfarë po ndodh me pagat e punëtorëve! Ata i bindin qytetarët se mund të jetojnë me 400 euro në muaj. Shikoni çfarë po ndodh në bujqësi! Të gjitha subvencionet janë ulur. Shikoni se çfarë politikash katastrofike po implementojnë në arsim! Shikoni se çfarë po ndodh në shëndetësi! Shëndetësia është gjunjëzar.”, – deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.