MAQEDONI

Mexhiti: VLEN do të garoj me lista të përbashkëta! Taravarit i pëlqen shkrirja e VLEN-it në një parti, por thotë se s’ka ofertë

VLEN ka fituar votat për të rrëzuar BDI-në dhe nuk ka logjikë që të bashkëpunohet me atë parti, tha kryetari i LD-së Izet Mexhiti, duke shtuar se ky koalicion do të shkrihet në një parti të vetme. Ai theksoi se i vetmi që ka dilema për këtë ndryshim është kreu i ASH-së Arben Taravari, ndërsa LD, Besa, Alternativa dhe Vetëvendosja do të garojnë si një parti e vetme me lista të përbashkëta në zgjedhjet lokale në tetor.

“Besoj që brenda javës do të ketë iniciativë që VLEN të jetë një opsion, të gjithë brenda VLEN-it që të katër subjektet: LD, Besa, AAA, VV të shkrihen në një parti. I vetmi që ka dilema është zotëri Taravari dhe duhet ta sqaroj opinionin se nuk mundet edhe të jesh pjesë e VLEN-it edhe të bashkëpunojmë me BDI sepse atëherë humb kuptimi i ndryshimit”, tha Mexhiti.

Kreu i ASH-së Arben Taravari tha se për shkrirjen e koalicionit në një parti është diskutuar edhe më herët, por tani nuk ka marrë një ofertë të tillë.

“Unë gëzohem se ata kanë rënë dakord VV, LD, AAA dhe Besa që të shkrihen dhe e përshëndes këtë akt, më pëlqen! ASH do të mebtet si subjekt që do të tentoj përsëri të bashkëpunoj nëse këto shkrihen me një parti. Deri tek ne nuk ka ardh një ftesë e tillë, nëse vjen do ta shqyrtojmë. Jemi miq, jemi shokë dhe normalisht që mund ta hapim edhe atë temë. Për momentin gëzohem që këta janë dakorduar mes veti”, deklaroi Taravari.

Ndryshe, tashmë nga VLEN i kanë dërguar ofertë Taravarit për mënyrën e ndarjes së komunave, por Taravari tha se ajo nuk ishte ofertë por ultimatum, që sipas tij është mënyrë e pa pranueshme.