KUMANOVË

Nxënësit e SH.F. “Kultura” nga Mateçi shkëlqejnë në Garën Ndërkombëtare të Matematikës “Kangaroo”

Nxënësit e Shkollës Fillore “Kultura” nga fshati Mateç kanë korrur një sukses të jashtëzakonshëm në Garën Ndërkombëtare të Matematikës “Kangaroo”. Pas sfidës garuese të mbajtur më 9 maj, nxënësit fitues u shpërblyen me medalje të arta, të argjendta dhe të bronzta, duke kurorëzuar kështu përkushtimin dhe talentin e tyre në fushën e shkencave exakte, informon tvfesta.mk

Përveç ceremonisë festive të ndarjes së medaljeve, shkolla organizoi edhe një aktivitet jashtëshkollor për fituesit e vegjël. Nxënësit kaluan një ditë edukative dhe zbavitëse në Kopshtin Zoologjik si dhe në Muzeun e Shkencave të Natyrës, ku patën mundësinë të ndërthurin njohuritë teorike me përvoja të reja praktike.

Udhëheqësia e shkollës shprehu krenarinë e saj për këtë arritje, duke përgëzuar me zemër nxënësit për punën e palodhshme. Një falënderim i veçantë iu adresua edhe trupës arsimore për udhëheqjen dhe motivimin e vazhdueshëm të fëmijëve, si dhe prindërve për bashkëpunimin dhe mbështetjen e pakursyer në këtë rrugëtim suksesi.