Me vendosjen e kurorave me lule të freskëta përpara Përmendores së Gruas Luftëtare në Sheshin “Marshal Tito”, sot në Kumanovë u shënua Dita e Pavarësisë, informon tvfesta.mk
Lule vendosën kryetari i Komunës, Maksim Dimitrievski, kryetarja e Këshillit të Komunës së Kumanovës, Ivana Gjorgjievska, përfaqësues të Armatës, MPB-së, si dhe përfaqësues të shumtë të partive politike, organizatave joqeveritare, shoqatave të qytetarëve, shkollave, anëtarë të Shoqatës së Luftëtarëve të LuÇN-së dhe qytetarë.
Para të pranishmëve mbajti fjalim kryetari Dimitrievski, i cili theksoi rëndësinë e kësaj date historike dhe rolin e Kumanovës në luftën e popullit për liri.
“Pavarësia ishte dhe mbetet një përgjegjësi e madhe. Detyrë për ta ruajtur shtetin, për të kultivuar vlerat demokratike, për të respektuar diversitetin dhe për të ndërtuar një shoqëri ku çdo qytetar do të ketë vendin, mundësitë dhe perspektivën e tij”, tha Dimitrievski.
Fuqia jonë, siç nënvizoi ai, qëndron te bashkimi, kurse pasuria jonë te diversiteti.
“E ardhmja jonë është në aftësinë për të ndërtuar ura dhe jo ndarje. Të krijojmë mundësi dhe jo pengesa. Të shohim përpara me shpresë dhe besim se mundemi dhe duhet të ndërtojmë një shtet më të mirë. Sot na nevojitet unitet, respekt ndërsjellë dhe bashkëpunim. Duhet t’i ndihmojmë të rinjtë ta shohin të ardhmen e tyre këtu, në shtetin e tyre. Të ndërtojmë një shoqëri ku puna vlerësohet, ku solidariteti respektohet dhe ku çdo njeri ka mundësi për një jetë dinjitoze dhe më të mirë”, u shpreh Dimitrievski.
Fjalimin e tij Dimitrievski e përmbylli me mesazhin për ta ruajtur lirinë që na e lanë trashëgimi gjeneratat e kaluara./tvfesta

