MAQEDONI

Moraliteti Politik dhe Njerëzor

Shkruan: Bashkim Murtezi

Në thelb të jetës së organizuar qëndron pyetja e përjetshme: Çfarë është e drejta dhe cila është e vërteta?
Në përpjekjen për t’u përgjigjur, morali shfaqet si busullë.

Morali, si udhërrëfyes i sjelljes njerëzore, përballet me një sprovë të veçantë në fushën e politikës, ku pushteti, interesat dhe ideologjitë shpesh përplasen me vlerat themelore të drejtësisë, ndershmërisë dhe përgjegjësisë.

Morali njerëzor lind nga ndërgjegjja individuale, nga aftësia jonë për të ndjerë dhimbjen e tjetrit, për të njohur të mirën dhe të keqen, për të qenë të ndershëm e të ndërgjegjshëm, të përkushtuar e të përgjegjshëm, se sa thjeshtë vetëm si nocion teorik. Është ndjenja e fajit kur lëndojmë dikë pa të drejtë, dhe ndjenja e detyrës për të vepruar drejt edhe kur është e vështirë. Por ky moral shpesh zbehet përballë moralit politik, i cili justifikon mjete të dyshimta për qëllime që shpallen të mëdha.

Por nëse politika braktis moralin njerëzor, ajo rrezikon të humbasë shenjtërinë e misionit të saj: Ti shërbejë njeriut dhe shoqërisë.

Sfida është ta pajtojmë moralin njerëzor me atë politik, duke mos e ndarë etikën nga pushteti. Një shoqëri e shëndoshë nuk mund të ndërtohet mbi frikë, gënjeshtër dhe manipulim. Ajo kërkon një politikë që buron nga empatia, nga përgjegjësia për të vepruar në emër të së mirës së përbashkët, jo në interes të një grupi apo individi të caktuar.

Vetëm kur morali njerëzor dhe ai politik ecin bashkë, mund të flasim për një civilizim të vërtetë dhe një politikë për ti shërbyer njeriut dhe shoqërisë.