Përmirësimi i cilësisë së ajrit dhe menaxhimi me mbeturinat janë dy objektivat kryesore, ku ministri i Ambientit Jetësor, Muhamed Hoxha, bashkë me ekipin do ta vënë fokusin e angazhimit në mandatin e tyre. Në brifing me gazetarë, ekipi i ngushtë i menaxhmentit me këtë degë ekzekutiv, thanë se do të funksionojë formula zero tolerancë ndaj faktorëve që ndotin ajrin. Për këtë problematikë, theksuan punën me plan afatshkurtër dhe programin afatgjatë disavjeçar. Me këto metoda tentohet të ndryshohet funksionimi me industrinë, komunikacionin dhe amvisëritë, si faktor kryesor që ndotin ambientin. Përpjekjet janë që me Ligjin e ri për kontrollin e emetimeve industriale, i cili dy vjet është në periudhë adaptimi për të hyrë në fuqi në vitin 2027, të përmirësohet cilësia e ajrit dhe të aplikohen standarde më serioze industriale dhe, njëherësh të përforcohet mbikëqyrja e kapaciteteve të kontrollit ministror.
“Po ndryshojmë sistematikisht qasjen ndaj industrisë, rregulla më të rrepta dhe prag më të ulët të emetimeve, veçanërisht në zonat urbane. Transparenca, përgjegjësia institucionale dhe puna në terren do të jenë parime udhëheqëse gjatë mandateve.”, tha Hoxha.
Në drejtim të menaxhimit me mbeturinat, ministri Hoxha potencoi ndërtimin e qendrave rajonale për mbledhjen e tyre, selektimin dhe riciklimin. Në takim me gazetarët u sqarua edhe miratimi i Ligjit për aksion klimatik në Qeveri, që njëherësh është edhe obligim i Agjendës reformuese dhe Planit të Rritjes. Kryesia e dikasterit në fjalë foli edhe për mungesën e kuadrove, sidomos të inspektorëve, për çka kanë bërë kërkesë tek Ministria e Financave për punësime të reja, sistematizim që do ta përmirësonte punën e tërësishme të Ministrisë.

