MAQEDONI

ASh-ja e Taravarit ankimon në Kushtetuese masën “Qyteti i Sigurt”

ASh-ja e Arben Taravarit e ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese masën “Qyteti i Sigurt”, që pritet të nisë të zbatohet nga 1 shkurti. Nga kjo parti vlerësojnë se kjo masë është kundërkushtetuese, pasi do të zbatohet vetëm në tre qytete të vendit.

“Siç paralajmëruan deputetët tanë nga foltorja e Kuvendit, ligjet e paketës “Qyteti i Sigurt” do të ankohen në Gjykatën Kushtetuese në ditën e hyrjes së tyre në fuqi. Këto iniciativa i dorëzuam, me qëllim që çdo ligj të vlejë për të gjithë qytetarët, në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.”, – u shpreh avokati i angazhuar nga ASh-ja, Abidin Abduli.

“Neni 9 i Kushtetutës garanton barazi për të gjithë qytetarët, ndërsa zbatimi i ligjit vetëm në tre qytete nuk është i barabartë dhe nuk siguron uniformitet.”, – u shpreh deputeti i ASh-së, Halis Snopçe.

Paraprakisht këtë çështje e ka ankimuar në Kushtetuese edhe ASh-ja e Ziadin Selës.