KUMANOVË

Milaim Halimi: 38 vjet nga portestat e Kumanovës, një hallkë e madhe e qëndresës shqiptare

Veprimtari Milaim Halimi Mesamali i cili në vitin 1988 u largua nga puna dhe u burgos sepse kundërshtoi mbylljen e shkollave të mesme në gjuhën shqipe, ka përkujtuar 38-vjetorin e protestave të Kumanovës, duke shprehur shqetësimin e tij për heshtjen që po mbizotëron ndaj kësaj ngjarjeje të rëndësishme.

Në shkrimin e tij, Halimi thekson se protestat e Kumanovës nuk ishin një ngjarje e izoluar, por pjesë e një vazhdimësie të qëndresës shqiptare që lidh ngushtë tri ngjarje kryesore:

1968 – Demonstratat për Flamur dhe zgjimi kombëtar, ku shqiptarët kërkuan hapur dinjitet, barazi dhe të drejta kombëtare.

1988 – Mbrojtja e shkollimit shqip dhe vazhdimi i qëndresës përmes protestave të Kumanovës.

2001 – Lufta për të drejta të barabarta në këto troje.

Sipas tij, këto janë hallka të së njëjtës përpjekje dhe aspiratë të shqiptarëve për të jetuar të lirë dhe me dinjitet, ndaj është e pafalshme që pas 38 vjetësh kjo datë të mbulohet me heshtje sikur të mos kishte ndodhur kurrë.

Në përmbyllje, ai thekson se kujtesa historike nuk është luks, por detyrim kombëtar, ndërsa harresa mbetet padrejtësia më e madhe ndaj atyre që dolën në rrugë dhe nuk kërkuan monumente për veten, por meritojnë të mos harrohen kurrë./tvfesta.mk