MAQEDONI

Mickoski pas takimit me Mbretin Charles III: Nxitje për të vazhduar në rrugën e vlerave të përbashkëta

Në kuadër të vizitës në Londër, kryeministri Hristijan Mickoski realizoi një takim me madhërinë e tij, Mbretin Charles III. Mickoski njoftoi se ka theksuar rëndësinë e miqësisë mes Maqedonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe diskutoi për stabilitetin, zhvillimin dhe mbrojtjen e natyrës, fusha për të cilat Mbreti i ka kushtuar vëmendje të veçantë.

“Kjo është një shenjë mirënjohjeje dhe respekti, por edhe një nxitje për të vazhduar në rrugën e vlerave të përbashkëta, besimit dhe partneritetit,” shkroi Mickoski në një postim në Facebook.

Në delegacionin qeveritar që udhëhoqi kryeministri janë edhe: zëvendëskryeministri Aleksandar Nikolloski, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski, ministrja e Financave Gordana Koçoska Dimitrieska, si dhe ministri për Integrime Evropiane Orhan Murtezani.