Izet Mexhiti ka rikujtuar sfidat e para 20 viteve për sjelljen e bustit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Shkup, duke e krahasuar atë periudhë me inaugurimin e sotëm të sistemit “One Stop Shop” në pikën kufitare Qafë Thanë, mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, raporton tvfesta.mk.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Mexhiti ka theksuar simbolikën e veçantë të rikthimit të tij në Qafë Thanë, pikërisht më 22 Nëntor, në Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
“Para njëzet vjetësh, isha në Qafë Thanë për ta sjellë në Shkup bustin e Skënderbeut. Sot jam përsëri këtu, për ta bërë më të lehtë kalimin e këtij kufiri”, ka shkruar Mexhiti.
Ai ka kujtuar se në atë kohë autoritetet nuk kishin dhënë leje për hyrjen e bustit të Skënderbeut në vend, ndërsa ishte dashur këmbëngulje që monumenti të sillej në Shkup dhe të vendosej në sheshin që sot mban emrin e heroit kombëtar.
Sipas Mexhitit, ajo që dikur dukej e pamundur, sot konsiderohet krejtësisht e natyrshme.
“Në të njëjtin vend ku dikur na duhej të këmbëngulnim që të kalonte busti i Skënderbeut, sot dy shtetet po zbatojnë një marrëveshje që ua lehtëson kalimin qytetarëve”, ka theksuar ai.
Në ceremoninë e përurimit të sistemit “One Stop Shop” në Qafë Thanë, sipas Mexhitit, marrin pjesë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zëvendëskryeministri Bekim Sali dhe bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami.
Sistemi i ri parasheh që kontrollet kufitare të kryhen në një vend të përbashkët, me vetëm një ndalesë, duke synuar shkurtimin e pritjeve dhe lehtësimin e qarkullimit të qytetarëve ndërmjet dy vendeve.
Mexhiti ka theksuar se, sipas marrëveshjes, ky model do të shtrihet edhe në pikat kufitare Bllatë, Goricë, Tushemisht dhe Xhepisht–Trebisht.
“Me VLEN-in në qeverisje, pas Kosovës, po e shtrijmë këtë model edhe me Shqipërinë. Zbatimi nis sot në Qafë Thanë”, ka shkruar Mexhiti.
Ai e ka lidhur këtë ngjarje edhe me rëndësinë historike të 22 Nëntorit, duke rikujtuar se Kongresi i Manastirit i vitit 1908 bashkoi shqiptarët rreth një alfabeti të përbashkët.
Sipas tij, lehtësimi i kalimit kufitar është një mënyrë konkrete për ta shënuar Ditën e Alfabetit, duke u mundësuar qytetarëve të udhëtojnë më lehtë drejt familjarëve dhe të afërmve të tyre.
“Sot, po ua shkurtojmë pritjen në kufi njerëzve që e flasin atë gjuhë kur mbërrijnë te familja, te miqtë, te njerëzit e tyre. Për mua, kjo është mënyra më e mirë për ta shënuar këtë 22 Nëntor”, ka përfunduar Mexhiti. /tvfesta

