LAJME

Afrim Gashi uron 22 Nëntorin: Gjuha shqipe është themel i identitetit dhe unitetit tonë kombëtar

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka uruar të gjithë shqiptarët me rastin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, duke theksuar rëndësinë historike të Kongresit të Manastirit dhe rolin e gjuhës shqipe në ruajtjen e identitetit kombëtar, raporton tvfesta.mk.

Në mesazhin e tij të urimit, Gashi ka rikujtuar se Kongresi i Manastirit i vitit 1908 shënoi një kthesë vendimtare për gjuhën, arsimin dhe identitetin e shqiptarëve.

Sipas tij, Manastiri ishte vendi ku rilindësit shqiptarë bashkuan dijen, vizionin dhe përkushtimin për një qëllim të përbashkët, ndërsa vendimet e marra në atë kongres përfaqësonin jo vetëm një arritje gjuhësore, por edhe një akt uniteti dhe përgjegjësie ndaj brezave të ardhshëm.

“Gjuha e mishëron identitetin e një populli. Për shqiptarët, mbetet gjithmonë nyjë unifikimi, bartëse e historisë dhe shprehje e pandashme e dinjitetit të popullit”, ka theksuar Gashi.

Ai ka nënvizuar se në Maqedoninë e Veriut, gjuha shqipe përfaqëson gjithashtu një urë komunikimi, mirëkuptimi dhe bashkëjetese ndërmjet qytetarëve.

Duke folur nga pozita e kryetarit të Kuvendit, Gashi ka theksuar rëndësinë e garantimit të barazisë, respektimit të identitetit gjuhësor dhe kulturor, përfaqësimit të drejtë dhe krijimit të mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët.

“Në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku shqiptarët janë popull shtetformues, e vlerësoj këtë ditë si një moment reflektimi mbi përgjegjësinë tonë të përbashkët për të garantuar barazinë, respektimin e identitetit gjuhësor dhe kulturor, përfaqësimin e drejtë dhe mundësitë e barabarta për të gjithë”, është shprehur Gashi.

Ai ka shtuar se këto vlera janë themelore për ndërtimin e një shteti demokratik, të drejtë dhe gjithëpërfshirës.

Në fund të mesazhit, kryeparlamentari ka bërë thirrje që 22 Nëntori të shërbejë si kujtesë për rëndësinë e respektimit të gjuhës dhe identitetit të njëri-tjetrit, si bazë e unitetit dhe së ardhmes së përbashkët.

“Urimet më të sinqerta për të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen. Gëzuar 22 Nëntorin – Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe!”, ka përfunduar Gashi.