Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka uruar të gjithë shqiptarët me rastin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, duke theksuar rëndësinë historike të Kongresit të Manastirit dhe domosdoshmërinë e ruajtjes së gjuhës shqipe, raporton tvfesta.mk.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ahmeti e ka cilësuar 22 Nëntorin si një ditë krenarie dhe kujtese kombëtare, duke rikujtuar kontributin e rilindësve shqiptarë në njësimin e alfabetit shqip.
“22 Nëntori është ditë krenarie dhe kujtese kombëtare. Kongresi i Manastirit i vitit 1908 i dha gjuhës shqipe alfabetin e njësuar, duke shënuar një kthesë historike për identitetin, arsimin dhe kulturën tonë”, ka shkruar Ahmeti.
Lideri i BDI-së ka bërë thirrje që gjuha shqipe të ruhet, të kultivohet dhe të afirmohet vazhdimisht si një ndër vlerat më të rëndësishme të identitetit kombëtar shqiptar.
“Ta ruajmë, ta kultivojmë dhe ta afirmojmë gjuhën shqipe si vlerë të shenjtë të identitetit tonë kombëtar”, ka theksuar ai.
Në mesazhin e tij, Ahmeti ka shprehur gjithashtu nderim për rilindësit dhe të gjithë personalitetet që kontribuuan në këtë ngjarje historike, e cila hodhi themelet e alfabetit të përbashkët të gjuhës shqipe.
“Nderim për rilindësit dhe të gjithë ata që kontribuuan në këtë akt historik! Gëzuar 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe!”, ka përfunduar Ahmeti.

