Në një atmosferë festive, të mbushur me buzëqeshje, emocione dhe krenari kombëtare, nxënësit e Shkollës Fillore Komunale “Dituria” në Likovë kanë shënuar festat e Nëntorit, përmes një programi festiv të përgatitur me përkushtim dhe dashuri nga stafi arsimor i shkollës, raporton tvfesta.mk.
Gëzimi i nxënësve dhe angazhimi i mësimdhënësve i dhanë një atmosferë të veçantë manifestimit kushtuar 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe dhe 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit Kombëtar dhe të Pavarësisë së Shqipërisë.
Përmes aktiviteteve festive, nxënësit shprehën dashurinë ndaj gjuhës shqipe, flamurit kombëtar, historisë dhe traditës shqiptare.
Nga shkolla kanë theksuar se shënimi i këtyre datave historike ka rëndësi të veçantë në edukimin e brezave të rinj, duke kultivuar tek ata ndjenjën e atdhedashurisë, unitetit dhe respektit për trashëgiminë kombëtare.
Përkushtimi i stafit arsimor në përgatitjen e programit dhe entuziazmi i nxënësve e bënë këtë manifestim një moment të veçantë për shkollën “Dituria” në Likovë.
“Gëzuar 22 dhe 28 Nëntorin! Qoftë gjithmonë e gjallë gjuha shqipe dhe krenaria jonë kombëtare!”, thuhet në mesazhin e shkollës me rastin e festave të Nëntorit. /tvfesta

