Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Pastrimi dhe Gjelbërimi” në Kumanovë, Sasho Tomiq, përmes një konference për media ka prezantuar raportin e punës për vitin e parë të mandatit të udhëheqjes aktuale, duke vënë theksin te mirëmbajtja e higjienës publike, pastrimi i deponive ilegale dhe stabilizimi financiar i ndërmarrjes, raporton tvfesta.mk.
Raporti përfshin periudhën nga 21 nëntori i vitit 2025 deri më 21 nëntor të vitit 2026, gjatë së cilës, sipas Tomiqit, ndërmarrja ka arritur të shlyejë një pjesë të konsiderueshme të detyrimeve të trashëguara, krahas realizimit të aktiviteteve të rregullta në terren.
Gjatë 12 muajve të fundit, ndërmarrja ka realizuar pagesa në vlerë të përgjithshme prej 196.575.955 denarësh, apo rreth 3,2 milionë eurosh.
Siç informon tvfesta, pjesa më e madhe e këtyre mjeteve është destinuar për përmbushjen e detyrimeve ndaj punonjësve, përfshirë pagesën e rregullt të pagave, kompensimet e prapambetura për pushim vjetor për vitet 2024 dhe 2025, detyrimet që rrjedhin nga paditë gjyqësore të punonjësve, si dhe kompensimet për largim nga puna.
Sipas raportit financiar, pagesat janë realizuar si vijon:
114.204.823 denarë për detyrimet ndaj punonjësve;
55.648.844 denarë për furnizuesit dhe partnerët afaristë;
21.939.895 denarë për TVSH dhe kamata;
4.782.393 denarë për shlyerjen e detyrimeve kreditore.
Krahas konsolidimit financiar, ndërmarrja ka vazhduar me pastrimin e deponive ilegale, mirëmbajtjen e sipërfaqeve të gjelbra dhe ndërhyrjet në lokacionet problematike në Kumanovë.
Megjithatë, drejtori Tomiq ka bërë të ditur se ndërmarrja vazhdon të përballet me sfida financiare dhe të personelit, pavarësisht rezultateve të prezantuara gjatë vitit të parë të mandatit. /tvfesta

