KUMANOVË

ShF “Faik Konica” në Sllupçan shënon festat e Nëntorit me program artistik

Me këngë, valle, recitime dhe interpretime artistike, nxënësit e Shkollës Fillore Komunale “Faik Konica” në Sllupçan të Komunës së Likovës kanë shënuar 22 Nëntorin – Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe dhe 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit Kombëtar, raporton tvfesta.mk.

Në një atmosferë festive, nxënësit kanë sjellë paraqitje artistike kushtuar historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare, duke shprehur përmes talentit të tyre dashurinë ndaj atdheut dhe krenarinë kombëtare.

Përmes këtij manifestimi, shkolla ka vënë në pah rëndësinë e kultivimit të vlerave kombëtare te brezat e rinj, si dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare.

“Këto festa janë një kujtesë e rëndësishme për vlerat që na bashkojnë dhe për trashëgiminë që duhet ta ruajmë e ta përcjellim brez pas brezi”, thuhet në njoftimin e shkollës.

Me këtë aktivitet, shkolla “Faik Konica” në Sllupçan u është bashkuar manifestimeve festive që po zhvillohen në Komunën e Likovës për nder të festave të Nëntorit.

Nga shkolla kanë përcjellë gjithashtu urime për të gjithë shqiptarët me rastin e këtyre dy festave kombëtare. /tvfesta