Mbi 130 milionë euro janë investuar deri më tani nga kompani vendore dhe të huaja në zonën industriale Novinë dhe Reçicë të Kumanovës, ndërsa autoritetet komunale po vazhdojnë investimet në infrastrukturë për të tërhequr investitorë të rinj dhe për të krijuar vende të reja pune, raporton tvfesta.mk.
Kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, ka bërë të ditur se deri më tani në këtë zonë kanë investuar pesë kompani vendore dhe dy kompani të huaja, me një vlerë të përgjithshme investimesh që tejkalon 130 milionë euro.
Zona industriale shtrihet në një sipërfaqe prej 65 hektarësh dhe ndodhet përgjatë korridorit ndërkombëtar E-75, në afërsi të kufirit me Serbinë, Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit dhe lidhjeve kryesore të transportit.
Sipas Dimitrievskit, me investimet e Komunës së Kumanovës dhe Qeverisë janë realizuar punime të konsiderueshme infrastrukturore, përfshirë hapjen e nëntë rrugëve të reja, me gjithsej 25 mijë metra katrorë sipërfaqe të asfaltuar në dy shtresa.
Gjithashtu, janë ndërtuar mbi 1.5 kilometra rrjet kanalizimi fekal, 1.7 kilometra rrjet ujësjellësi, 2.4 kilometra kanalizim atmosferik dhe 3.6 kilometra instalime elektrike.
“Potencialin e kësaj zone deri më tani e kanë njohur pesë kompani vendore dhe dy të huaja, investimet e të cilave tejkalojnë 130 milionë euro”, ka deklaruar Dimitrievski.
Nga gjithsej 31 parcela ndërtimore, aktualisht 21 janë të lira dhe në dispozicion për investime të reja.
Këto parcela janë të destinuara për industri të lehtë dhe jo ndotëse, objekte komerciale dhe afariste, njësi të mëdha tregtare, komplekse hotelierike dhe veprimtari të tjera ekonomike.
Nga Komuna e Kumanovës theksojnë se zhvillimi i mëtejshëm i infrastrukturës në këtë zonë synon të krijojë kushte më të favorshme për bizneset, të tërheqë kapital të ri vendor dhe ndërkombëtar, si dhe të mundësojë hapjen e vendeve të reja të punës.
Autoritetet lokale presin që zgjerimi i aktiviteteve ekonomike në zonën industriale Novinë dhe Reçicë të ndikojë pozitivisht në zhvillimin afatgjatë ekonomik të Kumanovës dhe rajonit. /tvfesta

