KUMANOVË

KUMANOVA ZGJERON RRJETIN E GAZIFIKIMIT

Në funksion të mbrojtjes së ambientit jetësor, Kumanova përmes zgjerimit të kyçjeve të reja në rrjetin e gazifikimit këtë vit planifikon të kyç edhe shtatë objekte të mëdha publike e njëherit edhe shpenzues të mëdhenjë të gazit, raporton Televizioni FESTA. Siç bënë të ditur nga NP “Kumanova Gas”, bëhet fjalë për një projekt të rëndësishëm ekologjik që parasheh kyçjen e këtyre shfrytëzuesve të rëndësishëm në Kumanovë.

MARKO MITROVSKI – DREJTOR I NP “KUMANOVA GAS”
“Bëhet fjalë për stacionin policorë në Kumanovë, Gjyqin Themelor të Kumanovës, Qendrën për punësim, Qendrën për punë sociale, Shkollën fillore “Toli Zordumis”, Shkollën fillore të muzikës “Pançe Peshev” dhe Shkollën fillore preferike “Kërste Misirkov” dhe”Braqa Milladinovci” tek Sokollana. Ndryshe në kuadër të këtij proekti në rrjetin e gazifikimit janë kyçur edhe ShMK Teknike “Nace Bugjoni” me sallën e sportit dhe punëtoritë si dhe konvikti i nxënësve “Profesor Mijallokoviq””, theksoi, Marko Mitrovski, drejtor i NP “Kumanova Gas”.
Paralelisht me këtë, kjo ndërmarrje gjatë këtij dhe vitit të ardhshëm në kontinuitet planifikon zgjerimin e rrjetit edhe për disa kilometra të tjerë.

MARKO MITROVSKI – DREJTOR I NP “KUMANOVA GAS”
“Për zgjerimin në drejtim të lagjes “Dobroshan”, do të shfrytëzojmë mjete nga buxheti i komunës dhe qeveria, por qeveria pritet të shpallë thirrje të re për cka ne tashmë kemi përgatitur proekte jemi duke punuar në përgatitjen e dokumentacionit që të aplikojmë në komunë e komuna në qeveri. Bëhet fjalë për 6.5 km të reja, të cilat presim ti implementojmë gjatë vitit 2025-26”, theksoi Mitrovski.

Krahas kyçjes së objekteve publike me zgjerimin e ri nëpër disa lagje dhe rrugë qëndrore të qytetit planifikohet edhe kyçja e numrit të madhë të amvisërive, me çka planifikohet ulja e ndotjes së ambientit jetësor në rajonin e Kumanovës.