Komuna e Kumanovës është pajisur me pesë automjete të specializuara komunale, të destinuara për përmirësimin e higjienës publike dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike në qytet, informon tvfesta.mk
Pajisjet janë donacion nga Qeveria, përmes Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve në bashkëpunim me Bankën Botërore. Dorëzimi zyrtar i tyre iu bë sot kryetarit të komunës, Maksim Dimitrievski, nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandër Nikoloski.
Parkut auto të qytetit i janë shtuar:
2 automjete multifunksionale për grumbullimin dhe transportimin e mbeturinave
1 automjet ujitës (ujitëse/spërkatëse) për larjen e rrugëve
2 automjete fshirëse për pastrimin e rrugëve
Ministri Nikoloski bëri të ditur se pas Shkupit, Kumanova është përfituesja më e madhe e këtij furnizimi.
“Ministria e Transportit, në bashkëpunim me Bankën Botërore, ka realizuar një nga furnizimet më të mëdha të automjeteve komunale që komunat kanë marrë si donacion direkt në periudhën e fundit. Një pjesë e këtij donacioni po shkon në Komunën e Kumanovës. Pas Shkupit, numrin më të madh të automjeteve e pranon pikërisht Kumanova, çka është plotësisht e drejtë duke qenë se bëhet fjalë për komunën më të madhe në territorin e vendit,” deklaroi Nikoloski.

