MAQEDONI

Kryeparlamentari Gashi shpall zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, raundi i parë më 19 tetor

Të nderuar qytetarë,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve dhe partive politike,
Në përputhje me Kushtetutën, Kodin Zgjedhor, legjislacionin në fuqi, si dhe në ushtrim të kompetencave të mia si Kryetar i Kuvendit, kam nderin dhe përgjegjësinë institucionale t’ju njoftoj se sot, zyrtarisht, nënshkrova vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të ardhshme lokale, të cilat do të mbahen më 19 tetor 2025. Këtë vendim e dërgova deri te organet kompetente për organizimin dhe zbatimin e zgjedhjeve, dhe pres angazhim maksimal për realizimin e një procesi të ndershëm dhe demokratik.

Ju informoj se gjatë fushatës zgjedhore, e cila fillon njëzet ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, Kuvendi do të vazhdojë funksionimin e tij të rregullt administrativ, por nuk do të mbajë seanca plenare. Ky vendim synon të shmangë keqpërdorimin e foltores parlamentare për qëllime elektorale dhe t’u japë deputetëve mundësinë të përkushtohen plotësisht ndaj komunikimit me qytetarët.

Dua të theksoj se zgjedhjet nuk janë thjesht një proces teknik por janë thelbi i demokracisë sonë. Ato janë një mundësi reale për qytetarët që të zgjedhin udhëheqës që reflektojnë përgjegjësi, vizion dhe përkushtim ndaj interesit publik. Kështu, data 19 tetor 2025 shënon një moment të rëndësishëm për forcimin e demokracisë, përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për të gjithë.

Si Kryetar i Kuvendit, jam i vetëdijshëm për rëndësinë e rolit unifikues që më është besuar, si dhe përgjegjësinë që kam për të garantuar integritetin dhe paanshmërinë e institucioneve tona. Prandaj, bëj një thirrje të qartë dhe të sinqertë për të gjitha forcat politike, kandidatët dhe strukturat përkatëse që të tregojnë nivel të lartë të kulturës politike. Të shmangin çdo formë presioni, fjalori përçarës dhe çdo tentativë për të instrumentalizuar institucionet dhe burimet publike për interesat partiake. Ky është një proces që duhet të fokusohet te qytetari, te nevojat dhe sfidat e tij reale, dhe te zgjidhjet konkrete që secili kandidat duhet të ofrojë.
Pres që ky proces të jetë një dëshmi e pjekurisë sonë demokratike, ku respektohen rregullat, mbizotëron dinjiteti, dhe reflekton vullneti i lirë i qytetarëve, e jo rezultat i trysnive apo manipulimeve. Në këto zgjedhje është e domosdoshme të demostrojmë vlerat dhe standardet europiane për të pasqyruar angazhimin tonë të palëkundur për integrim.

Duke i dëshiruar sukses të gjithë kandidatëve dhe partive politike që do të marrin pjesë në këto zgjedhje, uroj që këto zgjedhje lokale të jenë një garë ku idetë dhe vizionet për një të ardhme më të mirë do të jenë në qendër të diskutimeve.

Me respekt,
Afrim Gashi
Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut