SHOWBIZ

Konfirmohet lajmi i TV FESTA-s: Bardhi më 10 nëntor në Kumanovë, performon në koncertin madhështor për Ditën e Qytetit!

Këngëtari i njohur shqiptar Bardhi do të performojë më 10 nëntor në sheshin e qytetit të Kumanovës, në kuadër të koncertit madhështor që organizohet me rastin e 11 Nëntorit – Ditës së Qytetit. Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga organizatorët, ndërsa Televizioni Festa kishte informuar disa ditë më parë për ardhjen e artistit shqiptar në Kumanovë.

Koncerti do të mbahet të martën, më 10 nëntor 2026, duke filluar nga ora 19:30, në sheshin e qytetit, ku është paralajmëruar një program i pasur muzikor me pjesëmarrjen e artistëve të njohur dhe interpretuesve lokalë.

Bardhi do të jetë një nga emrat e njohur që do të ngjiten në skenën e Kumanovës, ndërsa performanca e tij është paraparë në pjesën e dytë të programit muzikor, e cila i kushtohet veçanërisht publikut të ri, raporton tvfesta.mk

Siç kishte paralajmëruar ditë më parë Televizioni Festa, këngëtari shqiptar do të jetë pjesë e festimeve për Ditën e Kumanovës, ndërsa tashmë pjesëmarrja e tij është konfirmuar edhe përmes programit zyrtar të organizatorëve.

Përveç Bardhit, në këtë koncert do të performojnë edhe Next Time, Young Dadi, Brass Brothers, Anastasia Spasevska, Mario Arangellovski, Çapaj, Ivona Jo, Martinijan Kirillovski, Luka Çombe, Dragana Jovanovska dhe Filip Aleksandrovski.

Programi do të hapet me interpretuesit lokalë, ndërsa grupi “Solution” do të shërbejë si bend shoqërues për performancat e tjera. Më pas do të vijojnë paraqitjet e Young Dadi dhe Bardhit, ndërsa në pjesën e tretë do të performojë grupi Brass Brothers nga Manastiri. Koncerti do të përmbyllet me performancën e grupit Next Time.

Detajet e ngjarjes janë prezantuar në një konferencë për media nga drejtoresha e Fondacionit për Kulturë dhe Sport pranë Komunës së Kumanovës, Sanja Davidoviq, e cila theksoi se qëllimi është që festa e qytetit të shënohet përmes një aktiviteti që bashkon qytetarët dhe ofron argëtim për gjenerata të ndryshme.

Sipas saj, muzika është një gjuhë universale që nuk njeh kufij, ndërsa organizimi i këtij koncerti synon të sjellë atmosferë pozitive dhe frymë bashkimi mes qytetarëve.

Koncerti organizohet nga Fondacioni për Kulturë dhe Sport, nën patronazhin e kryetarit dhe Këshillit të Komunës së Kumanovës.

Për publikun shqiptar të Kumanovës dhe rrethinës, vëmendja do të jetë edhe te performanca e Bardhit, i cili më 10 nëntor do të ngjitet në skenën e sheshit të qytetit. /tvfesta