Sheshi i Kumanovës do të kthehet në qendrën e festës më 10 nëntor! Këngëtari i njohur, Bardhi, do të ngjitet në skenën e hapur për të dhuruar një atmosferë festive për të gjithë bashkëqytetarët e tij, në një koncert madhështor që do të nisë nga ora 20:00.
Ky aktivitet organizohet nga Komuna e Kumanovës në kuadër të festimeve për 11 Nëntorin – Ditën e Çlirimit të qytetit.
Vetë artisti e ka konfirmuar pjesëmarrjen përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka ndarë entuziazmin e tij për t’u rikthyer para publikut të vendlindjes.
Kjo do të jetë hera e tretë që Bardhi performon në Kumanovë për nder të festës së qytetit, ku çdo herë është pritur me mbështetje masive nga vendasit. Rikthimi i tij vjen pas suksesit të koncertit të tij personal që mbajti vitin e kaluar po në Kumanovë.
Komuna e Kumanovës fton të gjithë qytetarët të jenë të pranishëm më 10 nëntor nga ora 20:00 në shesh për të festuar së bashku.

