Përparim Bajrami, i akuzuari i parë në rastin “Lotaria”, do të lirohet nga paraburgimi pasi Këshilli Penal i Gjykatës Themelore Penale në Shkup ka pranuar garancinë në patundshmëri në vlerë prej 1.140.781 eurosh, përcjell TV21. Sipas njoftimit të Gjykatës, ai do të lirohet nga burgu i Shkupit pasi hipoteka të regjistrohet në Kadastër.
Vendimi është bërë i plotfuqishëm sot, pasi prokurori publik kompetent dhe palët e tjera në procedurë kanë hequr dorë nga e drejta e ankesës.
Përveç garancisë, Gjykata i ka caktuar edhe masa kujdesi për të siguruar praninë e tij gjatë procedurës gjyqësore. Bajramit i merret pasaporta, i ndalohet pajisja me dokument të ri për kalimin e kufirit shtetëror dhe detyrohet të paraqitet rregullisht në Gjykatë.
Kërkesën për zëvendësimin e paraburgimit me garanci, mbrojtja e kishte dorëzuar më 14 tetor. Gjatë vendimmarrjes, Këshilli Penal ka marrë parasysh edhe afatin ligjor të paraburgimit. Nga Gjykata sqarojnë se në këtë rast paraburgimi nuk mund të zgjasë më shumë se 60 ditë. Bajrami ishte paraqitur vetë për vuajtjen e masës më 9 shtator, prandaj afati përfundon më 8 nëntor.

