KUMANOVË

KMUMANOVË, PËRMIRËSOHEN KUSHTET E ZJARRFIKËSVE

Njësiti territorial i zjarrfikësve në Kumanovë ka marrë pajisje e cila dukshëm i përmirëson kushtet për punë. Bëhet fjalë për tre automjete te specializuara për terrene të papërshtatshme, pajisje dhe aplikacion për detektimin e hershëm të zjarreve të cilat njësitë në Kumanovë, Rankovc, Nagoriç i fituan nga ministria e pushtetit lokal dhe Qeveria e Zvicrës, raporton Televizioni FESTA.

“Në funksion të përmirësimit të kushteve është rikonstruuar edhe pjesa e garazheve të njësisë së zjarrfikësve në Kumanovë. Mirëpo edhe përkundër faktit se garazhet janë mirë te ekipuara, megjithatë autoparku mbetet i njëjtë. Përpos tre automjeteve të reja për terren mesatarja e vjetërsisë së kamionëve arrin nga 35 deri ne 40 vjet. Njësia e Kumanovës akoma nuk ka shkallë të larta për shuarjen e zjarrit në ndërtesa shumëkatëshe”, shtoi komandiri i NJTZ Kumanovë, Dejan Ilievski.

Njësiti territorial i zjarrfikësve në Kumanovë punon në kushte të vështira me automjete për shuarjen e zjarrit të vjetra mesatarisht edhe deri 40 vjet. Një nga automjetet daton që nga viti 1978.

Njësiti i zjarrëfikësve në Kumanovë mbulon edhe Komunën e Likovës, kurse zjarrfikësit kumanovarë mjaft aktiv ishin gjatë sezonit veror e vjeshtor kur në sipërfaqe të hapura, në lokacione të ndryshme brenda ditës shpërthenin edhe nga mbi 5 zjarre, kurse sipas nevojës ndihmon edhe në komunat tjera të rajonit verilindor. /Televizioni FESTA/