RAJON & BOTA

Hamza i përgjigjet Kurtit: Ligji për Specialen nuk negociohet me postin e presidentit i ri

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, në një konferencë për media i është kundërpërgjigjur kreut të VV-së, Albin Kurtit, i cili kërkoi votat e deputetëve të PDK-së për ta votuar Bekim Sejdiun për president, raporton Ekonomia Online.

“Katër hapa, asnjë hap. Nëse ligji nuk aprovohet në dy lexime, nuk prodhon efekt juridik. Nëse vendi shkon në zgjedhje, ai kthehet prej fillimit. Nuk janë çështje të ndërlidhura çështja e presidentit dhe ligjit për Specialen. Asnjë veprim konkret nga 7 gushti deri sot për t’i dhënë vendit president”, tha Hamza gjatë një konference për media.

Ai ka thënë se çështja e presidentit duhet të trajtohet veçmas, duke kritikuar, sipas tij, mungesën e veprimeve konkrete për zgjedhjen e presidentit që nga 7 gushti.

Hamza ka folur edhe për deklaratën politike për luftën e UÇK-së, e cila është mbështetur nga deputetë të Kuvendit, duke theksuar se ajo nuk është çështje që i takon vetëm PDK-së.

“Deklarata politike: unë i jam mirënjohës, i falënderoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që kanë votuar pro deklaratës. Për të qartësuar: lufta e popullit të Kosovës dhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk është luftë e cila është veç e PDK-së. Askund në deklaratë nuk shkruan për PDK-në. Unë konsideroj që nuk duhet që veç Partia Demokratike e Kosovës të flasë për mbrojtjen e një lufte të drejtë, të imponuar, çlirimtare për liri dhe pavarësi. Duhet edhe partitë e tjera politike, viktimat, dëshmorët, viktimat civile, invalidët e luftës, veteranët, populli i Kosovës. Nuk i takon veç një subjekti politik, i takon të gjitha subjekteve politike”, shtoi.

Ai ka thënë se PDK-ja e ka sponsorizuar deklaratën në kuadër të përgjegjësisë së saj politike, duke mohuar se është bërë për përfitime politike.

“Dhe për këtë çështje, ne kemi konsideruar si parti politike që duhet të jemi në nivelin e përgjegjësisë tonë dhe kemi sponsorizuar një deklaratë, të cilën e kanë mbështetur edhe deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për çka jemi mirënjohës, por nuk është deklaratë që PDK-ja e ka për ndonjëfarë përfitimi politik”, tha ai.

Hamza ka sqaruar edhe pasojat që, sipas tij, do të kishte mosmiratimi përfundimtar i ligjit.

“Nëse ligji nuk aprovohet në dy leximet, nuk prodhon efekt juridik. Po që nëse nuk finalizohet ligji dhe vendi shkon në zgjedhje, ai kthehet nga fillimi”.