KUMANOVË

Këshilltarët e AKI: Nuk do të jemi fasadë e manipulimeve të Maksim Dimitrievskit!

Kryetar i Komunës, Maksim Dimitrievski, dhe kryetare e Këshillit Komunal, Ivana Gjeorgjievska, ne nuk do të marrim pjesë në votime vetëm për t’ju krijuar juve fasadën se po zgjidhni një problem që në të vërtetë nuk po e zgjidhni.

Edhe në mandatin e kaluar u ndanë disa milionë denarë për të njëjtin qëllim dhe për të njëjtin problem. Problemi nuk u zgjidh. Paratë e qytetarëve u shpenzuan, ndërsa banorëve të fshatrave përreth deponisë së Krastës iu dha vetëm një zgjidhje e përkohshme, sa për ta qetësuar situatën dhe protestat.

Sot po tentoni të përsërisni të njëjtën qasje.
Ne nuk do të jemi pjesë e këtij manipulimi.
Ne nuk do të jemi fasadë për vendime pa plan, pa strategji dhe pa zgjidhje afatgjatë.

Ne nuk do të votojmë për shpenzimin e parave të qytetarëve vetëm për t’u krijuar përshtypja se diçka po zgjidhet.
Qytetarët nuk kanë nevojë për masa sa për t’u dukur mirë në opinion. Ata kanë nevojë për një zgjidhje konkrete, të qëndrueshme dhe të planifikuar.

Prandaj, z. Dimitrievski dhe znj Gjeorgjievska, mos tentoni që dështimin për ta zgjidhur këtë problem ta zhvendosni te të tjerët.

Përgjegjësia për qeverisjen është e juaja. Paratë janë të qytetarëve. Ne nuk do të bëhemi fasadë për shpenzimin e tyre pa një zgjidhje reale.