Sot, më 05.10.2026 (e hënë), Muftiu i Muftinisë së BFI-së – Kumanovë, h. Abedin ef. Imeri, i shoqëruar nga sekretari i Muftinisë, Umej Fejzuli, zhvilloi një takim me Ministrin e Kulturës dhe Turizmit, z. Sedat Sulejmani.
Në takim morën pjesë edhe drejtori i Vakufit të BFI-së, z. Femi Ebibi, drejtori për Hallall Standard, z. Driton Dikena, Këshilltari Shtetëror për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe anëtar i kabinetit të Ministrit, mr. Afet Jashari, si dhe drejtori i Qendrës Nacionale për Konservim, z. Aleksandar Jordanovski.
Temë kryesore e takimit ishte Xhamia “Koxha Memed Beu” në Tabanoc, me ç’rast u diskutua në mënyrë të detajuar për hapat dhe aktivitetet e realizuara deri më tani, si dhe për hapat e ardhshëm që synojnë ruajtjen dhe konservimin e këtij objekti me rëndësi të veçantë fetare, historike dhe kulturore.
Me këtë rast, Muftiu falënderoi Ministrin e Kulturës dhe Turizmit për gatishmërinë dhe angazhimin e tij në lidhje me Xhaminë “Koxha Mehmed Beu”, si dhe për bashkëpunimin dhe mbështetjen institucionale në këtë çështje.
Muftinia e BFI-së – Kumanovë
Muftiu – h. Abedin ef. Imeri

