Këshilltari komunal nga radhët e AKI-së në Këshillin e Komunës së Kumanovës, Huzeir Mustafa, ka ngritur zërin sot gjatë seancës së këshillit lidhur me mungesën e investimeve institucionale në shkollat me mësim në gjuhën shqipe.
Mustafa ka reaguar ashpër ndaj faktit se përmirësimi i kushteve në këto shkolla po realizohet kryesisht nga donatorët dhe shoqatat humanitare, siç është “Swiss Barakah Charity”, ndërsa Komuna e Kumanovës dhe Qeveria po e shmangin përgjegjësinë e tyre ligjore.
Gjatë fjalës së tij, ai ka falënderuar donatorët për mbështetjen e vazhdueshme, por ka kërkuar llogaridhënie të menjëhershme nga pushteti lokal dhe ai qendror.
“Faleminderit donatorëve që po investojnë në shkollat tona, sepse institucionet përgjegjëse duket se kanë harruar se arsimi është detyrimi i tyre. Të jemi të qartë, shkollat nuk duhet të mbijetojnë me donacione. Nëse nuk do të ishin donatorët, nxënësit tanë në shumë raste do të mësonin ende me kushte mesjetare. Institucionet marrin buxhet për të investuar në arsim, jo për të pritur që dikush tjetër ta bëjë punën e tyre. Donatorët meritojnë falënderim, ndërsa institucionet përgjegjëse meritojnë llogaridhënie”, ka deklaruar Mustafa.
Reagimi vjen pasi në dy shkollat fillore të qytetit, “Bajram Shabani” dhe “Naim Frashëri”, janë përuruar investimet e realizuara gjatë muajve të fundit për përmirësimin e kushteve mësimore.
Ndërhyrjet kanë përfshirë lyerjen e klasave dhe korridoreve, ndërrimin e dyerve e dyshemeve, përmirësimin e ndriçimit, vendosjen e kondicionerëve si dhe pajisjen e klasave me tabela inteligjente (smart) për digjitalizimin e mësimit. Gjithashtu, në shkollën “Bajram Shabani” po realizohet edhe rikonstruksioni i tërësishëm i sallës së sportit, punime këto që po mbulojnë nevojat bazike të cilat do të duhej t’i siguronte shteti.

