MAQEDONI

Kapen persona të armatosur në zonën e mbrojtur të Pelisterit

Persona të armatosur me armë zjarri janë kapur në zonën e mbrojtur të Parkut Nacional “Pelister”, në një lartësi prej mbi 2.000 metra mbi nivelin e detit.

Personat janë vërejtur gjatë një aksioni nate të zhvilluar nga rojtarët e Parkut Nacional në bashkëpunim me policinë e SPB Manastir. Aksioni është zhvilluar në një terren jashtëzakonisht të vështirë për t’u arritur.

Nga Parku Nacional “Pelister” theksojnë se zona me regjim të rreptë mbrojtjeje shpesh është shënjestër e aktiviteteve të paligjshme, veçanërisht për shkak të mbikëqyrjes së vështirësuar dhe terrenit të paarritshëm.

Nga Drejtoria e Parkut thonë se problem shtesë paraqet edhe gjendja e rrugëve pyjore. Ato janë të rëndësishme për patrullimet e rregullta, mbrojtjen e natyrës, por edhe për mbrojtjen nga zjarret, ndërsa një pjesë e tyre po degradojnë gradualisht.

Nga Parku Nacional njoftojnë se përmirësimi i infrastrukturës rrugore është ndër prioritetet dhe se tashmë po punohet për rikonstruktimin e tyre.

Ky rast e rikthen sërish në fokus nevojën për mbikëqyrje më të fuqishme dhe mbrojtje më të madhe të pjesëve më të ndjeshme të Parkut Nacional “Pelister”. (Portalb)