Sektori për Punë të Brendshme në Kumanovë ka ngritur kallëzim penal ndaj një gruaje 28-vjeçare, nën dyshimin se ka detyruar dy fëmijët e saj të mitur të punojnë dhe të kërkojnë lëmoshë, raporton tvfesta.mk.
Sipas njoftimit të policisë, bëhet fjalë për I.E. (28) nga Kumanova, ndaj së cilës ekzistojnë dyshime për kryerjen e veprës penale “Braktisje dhe keqtrajtim i fëmijës”.
Nga policia bëjnë të ditur se e dyshuara, duke neglizhuar detyrimet e saj prindërore për kujdesin dhe edukimin e fëmijëve, dyshohet se i ka detyruar dy fëmijët e saj të mitur të kryejnë punë që nuk përputhen me moshën dhe aftësitë e tyre fizike.
Përveç kësaj, ajo dyshohet se i ka nxitur fëmijët të dalin në rrugë për të kërkuar lëmoshë.
Për rastin është dorëzuar kallëzim penal pranë organeve kompetente, ndërsa procedurat e mëtejshme do të zhvillohen në përputhje me legjislacionin në fuqi. /tvfesta

