Tash, kur opozita shqiptare e bllokoi Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, është koha t’i sjellim ndër mend disa fakte dhe t’i nxjerrim disa përfundime logjike.
1. Kjo opozitë shqiptare ka qenë në pushtet 22 vjet dhe, ndonëse e ka pasur gojën plot Marrëveshje të Ohrit, kurrë nuk e ka ngritur çështjen e miratimit të një ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, edhe pse ky ka qenë detyrimi themelor i Marrëveshjes së Ohrit.
2. Kjo opozitë kishte kërkuar më 2023 të hiqet edhe softueri i a.q. balancer me të cilin peshohej përfaqësimi i drejtë i punësimit mbi baza etnike. Çuditërisht, kërkesën e njëjtë të BDI-së e LSDM-së e kishte edhe VMRO-DPMNE-ja.
3. Kur kjo shumicë parlamentare shqiptare më në fund i përvishet punës që të miratojë një ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, për ta sanksionuar me ligj këtë dispozitë të Marrëveshjes së Ohrit, është pikërisht kjo opozitë, në krye me Komandant Soravinë, që e bllokon këtë ligj dhe mburret me këtë.
Cilat janë përfundimet logjike?
– Përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve nuk e dëshirojnë partitë maqedonase dhe, çuditërisht, këtë e dëshiron edhe opozita shqiptare. A thua çfarë i bashkon ato?
– Nihilizmi i kësaj opozite në stilin “kur nuk jam unë në pushtet u djegtë dynjaja” shkon deri aty sa edhe një avancim (pra, jo zgjidhje përfundimtare) të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve e pengon vetëm sepse atë po e bën kjo shumicë parlamentare. (Për freski të kujtesës, më 2018 opozita shqiptare e pat votuar një gjysmë ligj për përdorimin e gjuhëve, duke e ditur se ishte zgjidhje gjysmake dhe vetëm një avancim, edhe pse atëbotë ata të pushtetit mburreshin se është zyrtarizim i gjuhës shqipe.)
– A nuk është indikative që kjo opozitë shqiptare ishte bashkë me partitë maqedonase për heqjen e balancuesit dhe është sot përsëri në shërbim të tyre për pengimin e Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat?
Tash, nëse Marrëveshjen e Ohrit e pengojnë partitë maqedonase, nëse atyre u pengon përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i shqiptarëve, që nga Levica e deri te partitë e tjera maqedonase në opozitë e në pushtet, kjo është e pritshme prej tyre dhe ato do të mundohen që ky ligj ose të mos kalojë ose ai të dalë sa më i keq, por pyetja është se pse opozita shqiptare është futur në këtë agjendë?! Pse ajo u shërben qarqeve që nuk duan të normëzohet me ligj përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i shqiptarëve?
Qytetarët shqiptarë kanë të drejtë ta dinë këtë përgjigje.

