KUMANOVË

Erkan Arifi paralajmëron çerdhe të re në Vaksincë e Llojan

Kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi, ka paralajmëruar hapjen e shpejtë të çerdhes së tretë në këtë komunë, e cila do t’u shërbejë fëmijëve të fshatrave Vaksincë dhe Llojan, raporton tvfesta.mk

Lajmi u bë i ditur gjatë një vizite të ngrohtë e festive që fëmijët e çerdhes „Valbona 2001“ realizuan në ambientet e Komunës së Likovës. Vogëlushët i dhuruan kryetarit një punim mjaft të veçantë me vlerë simbolike – të realizuar me gjurmët e gishtave të tyre – si kujtim të çmuar nga kjo ditë. Përmes recitimeve, këngëve dhe çiltërsisë së tyre, ata sollën një energji të jashtëzakonshme pozitive në të gjitha ambientet e institucionit.

Kryetari Arifi theksoi se Komuna e Likovës vazhdon të jetë mbështetëse e fuqishme e edukimit parashkollor përmes fuqizimit të çerdheve „Rrezja“ dhe „Valbona 2001“.

„Me punë të përkushtuar, së shpejti urojmë të nisim punën edhe me çerdhen e tretë, e cila do t’u shërbejë fshatrave Vaksincë dhe Llojan. Ndiejmë gëzim dhe përgjegjësi të thellë që po i krijojmë gjeneratës së re kushtet e nevojshme për një edukim cilësor bazë. Edukimi i fëmijëve sot është guri i themelit për një të ardhme të ndritur të kombit tonë!“, u shpreh Arifi.

Komuna e Likovës mbetet e përkushtuar për t’u krijuar gjeneratave të reja kushte sa më cilësore për zhvillim dhe edukim që në hapat e tyre të parë.