Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, përmes një mesazhi ka përkujtuar ngjarjet historike të 6 tetorit 1968 në Prizren, duke e cilësuar këtë datë si një moment kyç ku flamuri kombëtar u bë simbol i qëndresës dhe zgjimit kombëtar, raporton tvfesta.mk
Ahmeti ka theksuar se valëvitja e flamurit kuqezi në Prizren u bë shkëndijë për demonstratat e mëvonshme në të gjitha viset shqiptare, ku kërkohej barazi, gjuhë, identitet dhe liri.
„Për flamurin tonë u përndoqën, u burgosën dhe u dënuan me vite të shumta burg, në mesin e tyre edhe patrioti i madh kombëtar Fazli Grajçevci e shumë të tjerë njerëz të pafajshëm. Breza të tërë e paguan shtrenjtë guximin për ta mbajtur Flamurin të lirë“, ka shkruar Ahmeti.
Lideri i BDI-së ka nëvizuar se as përndjekjet, burgjet e dhuna nuk mundën ta ndalin simbolin e Kastriotit dhe se pikërisht nën këtë flamur u frymëzuan edhe luftime çlirimtare të mëvonshme.
„Nën të u rritën edhe ata që më vonë do t’i dilnin përballë shtypjes, pushtimit dhe spastrimit etnik, deri te bijtë e bijat, themelues e ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare që morën armët për lirinë e popullit të tyre. Flamuri kuqezi nuk është vetëm një simbol që valëvitet në erë. Është historia jonë, sakrifica jonë dhe kujtesa jonë kolektive“, përfundoi Ahmeti. /tvfesta

