OPINIONE

Ekonomia e emigrimit: A mund të rritet Maqedonia e Veriut ndërkohë që fuqia e saj punëtore po zvogëlohet?

Shkruan: Prof. Dr. Liza Alili Sulejmani

Emigrimi ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga sfidat kryesore ekonomike dhe shoqërore të Maqedonisë së Veriut për dekada me radhë. Megjithatë, diskutimi gjithnjë ka të njëjtinpërfundim: njerëzit po largohen nga vendi. Nga këndvështrimi ekonomik, pyetja më e rëndësishme është se çfarë ndodh me një ekonomi të vogël dhe të hapur kur një pjesë e konsiderueshme e popullsisë së saj në moshë pune dhe me kualifikime profesionale kërkon të ardhmen e vet jashtë vendit. Rritja ekonomike, përpos të tjerash varet mjaft nga faktorë simadhësia dhe cilësia e fuqisë punëtore, investimet, produktiviteti, teknologjia dhe institucionet efikase. Kur fuqia punëtore zvogëlohet, ruajtja e një rritjeje ekonomike të qëndrueshme bëhet goxha e vështirë. Maqedonia e Veriut po përballet gjithnjë e më shumë me këtë sfidë, pasi emigrimi, së bashku me plakjen e popullsisë dhe lindshmërinë e ulët, po ndryshojnë dukshëm strukturën e tregut të punës.

Efektet tashmë janë evidente. Punëdhënësit në një numër gjithnjë e më të madh sektorësh raportojnë vështirësi në gjetjen e punëtorëve, ndërsa mungesa e fuqisë punëtore nuk kufizohet më vetëm te profesionet me kualifikim të lartë. Në të njëjtën kohë, largimi i punëtorëve të arsimuar dhe të kualifikuar përfaqëson humbje të kapitalit njerëzor. Vendi investon burime në arsim dhe trajnim profesional, por një pjesë e përfitimit ekonomik nga ky investim realizohet përfundimisht në ekonomitë e vendeve të tjera.

Ironikisht, ne i arsimojmë këtu, ndërsa produktivitetin e tyre ua eksportojmë ekonomive më të zhvilluara dhe këtë eksport, për fat të keq, nuk e regjistrojmë dot si sukses në bilancin tregtar.

Në kuadër të thënies “jo gjithçka është e zezë”, edhe emigrimi ka një dimension tjetër. Ai gjeneron remitanca, zvogëlon presionin mbi papunësinë dhe mund të krijojë lidhje të vlefshme ndërmjet ekonomisë së Maqedonisë së Veriut dhe diasporës së saj. Qytetarët që kthehen nga jashtë mund të sjellin kapital, njohuri, përvojë profesionale, rrjete të reja dhe praktika moderne të biznesit. Por a mund remitancat, të vetme, të përbëjnë një strategji afatgjatë zhvillimi? Ato mbështesin konsumin familjar dhe standardin e jetesës, por nuk mund ta kompensojnë plotësisht humbjen e përhershme të punëtorëve, profesionistëve, sipërmarrësve dhe tatimpaguesve. Shikuar nga aspekti i financave publike kjo krijon një sfidëgoxha të rëndësishme. Një popullsi më e vogël në moshë pune nënkupton më pak persona që paguajnë tatime dhe kontribute sociale, ndërsa plakja e popullsisë rrit presionin mbi pensionet, shëndetësinë dhe shërbimet e tjera publike. Në planin afatgjatë, raporti ndërmjet atyre që financojnë sistemin dhe atyre që varen prej tij bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për qëndrueshmërinë fiskale.

Dhe pikërisht këtu lind pyetja më e ndjeshme: nëse numri i të rinjve dhe i të punësuarve vazhdon të zvogëlohet, kush do t’i paguajë pensionet në Maqedoninë e Veriut pas 40 vjetësh? Sepse, sado optimiste të jenë strategjitë tona, kjo është sfida më e vështirë me të cilën do të përballemi si shtet.Madje kjo është një pyetje që meriton një analizë më vete dhe të cilës do t’i rikthehem në temën e radhës. Ndërkohë, përgjigjja e politikave publike ndaj emigrimit nuk duhet të jetë thjesht “ndalimi i emigrimit”. Në një ekonomi të hapur evropiane, kufizimi i lëvizjes së njerëzve nuk është as realist dhe as i dëshirueshëm. Objektivi duhet të jetë përmirësimi i kushteve ekonomike dhe institucionale që bëjnë që emigrimi i përhershëm të perceptohet si alternativa më e mirë për një pjesë të konsiderueshme të të rinjve.

Pagat më të larta janë pjesë e zgjidhjes, por pagat nuk mund të rriten në mënyrë të qëndrueshme pa rritjen e produktivitetit. Maqedonia e Veriut ka nevojë për investime më të fuqishme në arsim dhe aftësi profesionale, teknologji, inovacion dhe sektorë me vlerë të shtuar më të lartë. Për korrektësi, duhet theksuar se janë ndërmarrë hapa të caktuar në këtë drejtim, por pyetja është nëse a janë ata të mjaftueshëm. Gjithashtu, nevojiten institucione që shpërblejnë kompetencën dhe sipërmarrjen, një mjedis biznesi më i parashikueshëm dhe mundësi reale për avancim profesional. Njëkohësisht, një strategji serioze ekonomike duhet të shqyrtojë mënyrat se si diaspora mund të shndërrohet jo vetëm në burim remitancash, por edhe në burim investimesh, njohurish, përvoje dhe sipërmarrjeje.

Prandaj, pyetja themelore nuk është nëse Maqedonia e Veriut mund ta parandalojë plotësisht largimin e qytetarëve të saj. Kjo nuk është e mundur dhe as nuk duhet të jetë objektivi. Pyetja e vërtetë është nëse vendi mund të krijojë një ekonomi ku qëndrimi apo kthimi të bëhet një zgjedhje ekonomikisht tërheqëse.

Maqedonia e Veriut mund të vazhdojë të rritet edhe me një fuqi punëtore më të vogël, por vetëm nëse arrin të krijojë më shumë vlerë me njerëzit që ka. Në fund, sfida më e madhe nuk është vetëm sa qytetarë largohen, por sa prej tyre shohin arsye për të qëndruar dhe sa prej atyre që janë larguar shohin perspektivë për t’u kthyer.

Dhe këtu mbetet pyetja që duhet të na bëjë të gjithëve të mendojmë: nëse sot të rinjtë e shohin të ardhmen e tyre jashtë vendit, atëherë kush vallë do ta ndërtojë ekonominë e Maqedonisë së Veriut nesër?