Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, ka marrë pjesë në ditën e tretë të konferencës shkencore ndërkombëtare “Gjendja e teksteve shkollore në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, ku ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe, përmirësimit të teksteve shkollore dhe mbështetjes së arsimit shqip në mërgatë, raporton tvfesta.mk.
Konferenca është organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, në kuadër të manifestimit kulturor-shkencor “Ditët e Alfabetit 2026”.
Në qendër të diskutimeve ishin dy tema të rëndësishme: “Shkolla shqipe në mërgatë” dhe “Letërsia shqipe në tekstet shkollore”, të cilat lidhen drejtpërdrejt me ruajtjen e identitetit gjuhësor e kulturor dhe ngritjen e cilësisë së arsimit në gjuhën shqipe.
Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Sulejmani ka theksuar nevojën për mbështetje më të madhe të mësimit të gjuhës shqipe në diasporë, përmirësim të vazhdueshëm të përmbajtjes së teksteve shkollore dhe bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet institucioneve arsimore dhe komunitetit akademik.
“Kongresi i Manastirit na dha një alfabet të përbashkët, ndërsa përgjegjësia jonë sot është që këtë trashëgimi ta ruajmë dhe ta zhvillojmë përmes arsimit cilësor, shkencës dhe edukimit të brezave të rinj”, ka deklaruar Sulejmani.
Ai ka vlerësuar gjithashtu kontributin e studiuesve, mësimdhënësve dhe veprimtarëve të arsimit shqip në mërgatë, të cilët ndër vite kanë luajtur rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës amtare te brezat e rinj.
Zëvendësministri ka shprehur mirënjohje edhe për organizatorët e konferencës, duke theksuar rëndësinë e aktiviteteve shkencore që trajtojnë sfidat dhe perspektivat e arsimit në gjuhën shqipe.
Në përfundim të mesazhit të tij, Sulejmani ka përcjellë edhe një urim me rastin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
“Gjuha është identiteti ynë, arsimi është e ardhmja jonë! Gëzuar Ditën e Alfabetit!”, ka shkruar zëvendësministri Driton Sulejmani. /tvfesta

