KUMANOVË

Policia dhe Myftinia e Kumanovës takim me imamët para festave të 22 dhe 28 Nëntorit

Në prag të shënimit të 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit Shqip dhe 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit Kombëtar, Sektori për Parandalim pranë SPB Kumanovë, në bashkëpunim me Myftininë e Kumanovës, ka organizuar një takim pune me imamët e xhamive të komunave të Kumanovës dhe Likovës, raporton tvfesta.mk.

Në këtë takim janë diskutuar aktivitetet dhe masat e përbashkëta që synojnë të sigurojnë që festat kombëtare shqiptare të shënohen në atmosferë të qetë, dinjitoze dhe pa incidente.

Sipas njoftimit, gjatë takimit është theksuar rëndësia e ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, shmangies së gjuhës së urrejtjes, fyerjeve mbi baza fetare apo kombëtare, si dhe respektimit të popujve të tjerë dhe institucioneve shtetërore.

Shefja e Sektorit për Parandalim, mr. Lile Mlladenovska, së bashku me përfaqësuesit e Myftinisë së Kumanovës, u kanë bërë thirrje qytetarëve që do të marrin pjesë në manifestimet festive të përmbahen nga sjelljet e pahijshme dhe çdo veprim që mund të cenojë rendin dhe qetësinë publike.

Apel i veçantë u është drejtuar edhe drejtuesve të automjeteve, të cilët gjatë festimeve duhet të mundësojnë qarkullim normal në komunikacion, të mos pengojnë lëvizjen e automjeteve të tjera dhe të shmangin krijimin e kolonave apo bllokadave në rrugë.

Nga Sektori për Parandalim dhe Myftinia e Kumanovës kanë uruar qytetarët për festat e ardhshme të 22 dhe 28 Nëntorit, duke shprehur pritshmërinë që këto data të rëndësishme të shënohen në një atmosferë festive, me respekt, mirëkuptim dhe bashkëpunim të ndërsjellë. /TVFESTA