Driton Sulejmani: Rezultatet e PISA-s, pasqyrë e politikave të gabuara të qeverisjes së kaluar
Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, ka komentuar rezultatet e testimit ndërkombëtar PISA për Maqedoninë e Veriut, duke thënë se një performancë e tillë nuk ka qenë e papritur, duke marrë parasysh politikat arsimore të ndjekura ndër vite.
Duke folur në emisionin “Impakt” në TV Shenja, Sulejmani tha se rezultatet e PISA-s janë pasqyrë e politikave dhe reformave të zbatuara nga qeverisjet e mëparshme.
“Rezultatet e PISA-s tregojnë politikat që i kanë zhvilluar qeverisjet e mëparshme, sepse reformat në arsim nuk japin rezultate të shpejta. Duhet gjenerata të tëra të kalojnë nëpër sistemin e reformuar të arsimit dhe pastaj të shihen rezultatet”, deklaroi Sulejmani.
Sipas tij, rezultatet e publikuara dëshmojnë se reformat e ndërmarra në të kaluarën nuk kanë dhënë efektet e pritshme dhe se sistemi arsimor ka nevojë për ndryshime të thella.
“Ne jemi të vetëdijshëm për këtë punë dhe jo rastësisht kemi filluar ndryshime rrënjësore në sistemin arsimor, si në atë fillor, të mesëm e të lartë”, ka thënë Sulejmani duke shtuar se përmirësimi i cilësisë në arsim kërkon kohë, reforma të qëndrueshme dhe politika që japin rezultate afatgjata.

