MAQEDONI

Çairi me aksion të zgjeruar pastrimi në prag të Kurban Bajramit

Në prag të festës së Kurban Bajramit, Komuna e Çairit në bashkëpunim me NP “Higjiena Komunale” po realizon aksion të zgjeruar për pastrimin dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike në lagje të ndryshme të komunës.

Lagje pas lagjeje dhe rrugë pas rruge, punëtorët sezonalë të komunës së bashku me ekipet në terren janë angazhuar në pastrimin e rrugëve, trotuareve dhe hapësirave publike, me qëllim krijimin e një ambienti më të pastër dhe më të rregulluar për qytetarët gjatë festës.

Gjatë ditës janë realizuar edhe aktivitete për pastrimin dhe rregullimin e oborreve të xhamive në territorin e komunës, ndërsa aksioni do të vazhdojë edhe gjatë orëve të natës, në përputhje me nevojat në terren.

Komuna e Çairit apelon për ruajtjen e pastërtisë dhe kujdesin e përbashkët ndaj hapësirave publike, me qëllim që festa të pritet në një ambient të denjë dhe të mirëmbajtur për të gjithë qytetarët.