Kryetari i Haraçinë, Daut Beqiri, ka njoftuar për përgatitjen e një projekti për rregullimin e hapësirës në qendër të komunës, i cili parasheh ndërtimin e “Sheshit të Dëshmorëve”.
Sipas Beqirit, projekti synon jo vetëm krijimin e një hapësire përkujtimore, por edhe përmirësimin e qarkullimit dhe organizimit urban në pjesën qendrore të Haraçinës.
“Kemi përgatitur një projekt për rregullimin e hapësirës në qendër të Haraçinës, i cili parasheh ndërtimin e ‘Sheshit të Dëshmorëve’”, deklaroi Beqiri.
Ai theksoi se realizimi i projektit do të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve aktuale me komunikacionin dhe parkimin në këtë zonë.
“Me realizimin e këtij projekti do të rregullohet edhe qarkullimi i komunikacionit në këtë pjesë, e cila aktualisht ka sfida për shkak të veturave të parkuara, duke e bërë zonën më funksionale dhe më të organizuar për lëvizje”, tha kryetari i komunës.
Sipas njoftimit, projekti përfshin vendosjen e një monumenti me shqiponjë dhe një pllake përkujtimore për Komandant Telin dhe bashkëluftëtarët e tij.
Beqiri u bëri thirrje qytetarëve të japin mendimet dhe sugjerimet e tyre për projektin përmes komenteve ose duke marrë pjesë në panelin e diskutimit publik që do të mbahet më 8 maj në sallën e Këshillit Komunal.
“Vetëm së bashku mund të ndërtojmë një Haraçinë më të mirë për të gjithë”, theksoi Beqiri.

