Ish-kandidati për kryetar të Kumanovës, Bekim Saliu ka shprehur shqetësimin e tij për individët që, sipas tij, guxojnë të flasin për qytetin pa pasur njohuri të mjaftueshme për të. Ai thekson se Kumanova ka një histori të pasur dhe një identitet të fortë, që formohet nga traditat dhe vlerat e familjeve të vjetra qytetare, si dhe nga ato nga trevat e Malësisë së Karadakut dhe Komunës së Likovës, të cilat kanë ndihmuar në ndërtimin e qytetit.
Ja edhe postimi i plotë:
Askush s’mund të flasë për Kumanovën më mirë se kumanovarët!
Është për të ardhur keq që edhe sot ka individë që marrin guximin të flasin për Kumanovën dhe jetën e saj pa e njohur aspak shpirtin dhe thelbin e këtij qyteti. Kumanova është një qytet me tradita të pasura dhe me shumë familje të vjetra qytetare e sublimuar me familje nga trevat e Malësisë së Karadakut dhe Komunës së Likovës, që kanë ndërtuar historinë dhe identitetin e saj patriotik e fisnik, duke qenë ajka kombëtare ndër vite.
Ata që njohin Kumanovën vetëm nga Google Maps si një adresë taksie apo nga një vizitë e rastësishme me përcjellës vendas si ciceronë, nuk mund dhe nuk duhet të luajnë rolin e përfaqësuesve të saj.
Kumanova është dhe mbetet në duart e kumanovarëve të vërtetë, të cilët i japin jetë dhe formë këtij qyteti, duke e mbajtur si një familje e madhe me tradita dhe vlera të forta!
Prandaj, këshilloj këdo që ka hyrë në filma të tillë, që të mos e marrë përsipër rolin e “faktorit kumanovar” pa e njohur në të vërtetë qytetin, mënyrën e jetesës dhe shpirtin e tij të jashtëzakonshëm.