KUMANOVË

Bekim Saliu apelon për unitet dhe qetësi pas trazirave në Kumanovë

Ish-kandidati për kryetar të Komunës së Kumanovës, Bekim Saliu, ka shpërndarë një mesazh të fortë për qytetarët e Kumanovës pas ngjarjeve të fundit që tronditën qytetin. Në një status në profilin e tij në facebook, Saliu ka shprehur shqetësimin dhe dhimbjen për trazirat që shpërthyen më 28 nëntor, duke theksuar se këto ngjarje hapën plagë të vjetra dhe krijuan të reja në zemrat e qytetarëve.

Ai ka kritikuar dhunën e përdorur, si dhe ka dënuar incidentin e fundit, ku një zyrë shërbimesh administrative e familjes së Fitorit u dogj, duke theksuar se ky akt është një goditje e qëllimshme ndaj frymës dhe unitetit të qytetit. Saliu ka shprehur solidaritet me të gjitha ata që kanë pësuar nga këto veprime dhe ka kërkuar nga organet e drejtësisë të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të zbardhur rastet dhe sjellë para drejtësisë fajtorët.

Në mesazhin e tij, Saliu apelon për qetësi dhe siguri, duke u kërkuar qytetarëve të qëndrojnë të bashkuar dhe të mos bien pre e provokimeve. Ai ka bërë thirrje për ruajtjen e frymës së mirëkuptimit dhe tolerancës që gjithmonë ka karakterizuar Kumanovën, duke nënvizuar se qyteti nuk duhet të bëhet arenë për agjenda përçarëse.

Në fund, Bekim Saliu ka shprehur besimin se me mençuri dhe unitet, qytetarët e Kumanovës mund të tejkalojnë edhe këtë situatë dhe të sigurojnë një të ardhme më të sigurt për të gjithë.