MAQEDONI

AUV bllokon 22 tonë kivi nga Serbia për shkak të rrezikut fitosanitar

Importi i mbi 22 tonëve kivi nga Serbia u ndalua të shtunën pasi inspektorët zbuluan praninë e insekteve të dëmshme dhe larvave në dërgesë, njoftuan autoritetet kompetente për sigurinë ushqimore.

Shërbimet e kontrollit bllokuan frutat e kivit në pikën kufitare për shkak të dyshimeve se nuk i përmbushin standardet fitosanitare. Gjatë kontrollit inspektues të mallit, inspektorët identifikuan praninë e larvave dhe insekteve të tjera, çka cënon statusin shëndetësor dhe të sigurisë së frutave të importuara.

Deklarata e AUV-së:

“Bëhet fjalë për 22.340 kilogramë kivi, import nga Serbia, për të cilin, pas kontrollit organoleptik nga ana e inspektorit të ushqimit, është konstatuar se nuk është i sigurt për import dhe për përpunim të mëtejshëm”.

Autoritetet bënë të ditur se ky zbulim përbën rrezik për shëndetin e bimëve dhe potencialisht mund të çojë në përhapjen e agjentëve të dëmshëm në vend, për këtë arsye u morën menjëherë masa ligjore për ndalimin e importit dhe vulosjen e dërgesës problematike.

Dërgesa me kivi do të mbetet nën kontrollin e shërbimeve inspektuese derisa të përcaktohet natyra e saktë e ndotësve dhe derisa të ndërmerren masat përkatëse për përballimin e tyre. Po ashtu, paralajmërohet forcim i kontrollit inspektues edhe për produkte të tjera të importuara të të njëjtit lloj, derisa të sigurohet shpërndarja e ushqimit të sigurt dhe të shëndetshëm në treg.

Inspektimet fitosanitare kontrollojnë rregullisht produktet bujqësore të importuara me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe parandalimin e futjes së insekteve, sëmundjeve ose dëmtuesve që mund të dëmtojnë prodhimin vendas.