MAQEDONI

Fatmir Bytyqi: Sonte Serbia shembi iluzionin e pushtetit të përjetshëm!

Frika u zmbraps përballë dinjitetit, errësira mediatike përballë zërit të qytetarëve, ndërsa arroganca e pushtetit autoritar përballë këmbënguljes së të rinjve. U rizgjua shpresa për një shoqëri, të ardhmen e së cilës e formësojnë liria, drejtësia dhe mundësitë e barabarta.

Studentët rikthyen besimin në fuqinë transformuese të idealeve, duke dëshmuar se dinjiteti dhe drejtësia mund të jenë më të forta se autoriteti i pushtetit.

Urime të sinqerta kësaj gjenerate të guximshme dhe të gjithë qytetarëve që mbështetën aspiratën për ndryshim. Tani para tyre qëndron një përgjegjësi historike: të ndërtojnë një shtet ku çdo njeri, pavarësisht emrit, përkatësisë kombëtare, gjuhës apo besimit fetar, të gëzojë dinjitet, të drejta dhe mundësi të barabarta. Një shtet, forca e të cilit do të burojë nga respektimi i dallimeve, drejtësia dhe fqinjësia e mirë.

Të rinjve u uroj ta ruajnë forcën morale me të cilën e fituan besimin dhe t’u mbeten besnikë parimeve që i bashkuan. Ndryshimi i vërtetë sjell më shumë liri për të gjithë, e jo thjesht bartës të rinj të pushtetit politik.