Një 50-vjeçar nga rajoni i Kumanovës është arrestuar nga policia nën dyshimin se u ofronte ndihmë qytetarëve për të tërhequr para nga bankomati, por më pas, duke shfrytëzuar pakujdesinë e tyre, përvetësonte një pjesë të shumës së tërhequr, raporton tvfesta.mk.
Sipas informacioneve nga Sektori për Punë të Brendshme në Kumanovë, më 2 nëntor 2026, rreth orës 10:30, zyrtarët policorë kanë ndaluar M.Z. (50) nga fshati Pçinjë i Kumanovës.
I dyshuari është vërejtur para një banke në rrugën “Ivo Lola Ribar” në Kumanovë, teksa dyshohet se po kryente veprën penale të përvetësimit.
Sipas policisë, 50-vjeçari u afrohej qytetarëve dhe u ofronte ndihmë për të tërhequr para nga bankomati. Mirëpo, gjatë këtij procesi, ai dyshohet se shfrytëzonte pakujdesinë e tyre për të marrë një pjesë të parave.
Nga SPB Kumanovë bëjnë të ditur se po ndërmerren veprimet e nevojshme për dokumentimin e plotë të rastit.
Pas përfundimit të procedurave dhe dokumentimit të rastit, ndaj të dyshuarit do të parashtrohet kallëzim përkatës penal.

