VMRO-DPMNE-ja ka mbështetje dukshëm më të lartë se LSDM-ja, ndërsa Hristijan Mickoski gëzon besim shumë më të madh se Venko Filipçe. Këto janë rezultatet e anketës së fundit të MKD.mk, të realizuar nga agjencia Market Vision nga 11 deri më 27 shtator, me 1.200 të anketuar.
Në pyetjen se për cilën parti do të votonin në zgjedhjet e ardhshme, 19,3 për qind janë përgjigjur se do të votonin për VMRO-DPMNE-në, ndërsa 5,6 për qind për LSDM-në.
BDI-ja dhe VLEN-i kanë marrë nga 4,2 për qind të mbështetjes. Ndërkaq, 4 për qind e të anketuarve që kanë përcaktuar zgjedhjen e tyre kanë deklaruar se do të votonin për Levicën, ndërsa 1 për qind për ZNAM-in.
Anketa tregon gjithashtu se 41 për qind e të anketuarve nuk do të votojnë, janë të pavendosur ose nuk dëshirojnë të përgjigjen.
Edhe te liderët politikë, dallimi është i madh. Hristijan Mickoski ka besimin e 20,4 për qind të të anketuarve, ndërsa Venko Filipçe i 3,8 për qind.
Ali Ahmeti gëzon besimin e 3,7 për qind të të anketuarve, Dimitar Apasiev i 3,4 për qind dhe Izet Mexhiti i 2,6 për qind.
Ndërkohë, 44,1 për qind deklarojnë se nuk kanë besim te asnjë lider politik, ndërsa 12,5 për qind nuk kanë dashur të përgjigjen.
Edhe anketa e realizuar në qershor kishte treguar epërsi të VMRO-DPMNE-së dhe Mickoskit ndaj LSDM-së dhe Filipçes.
Anketa është realizuar përmes telefonit, me një mostër prej 1.200 të anketuarish. Marzhi i gabimit statistikor është 3 për qind, ndërsa intervali i besueshmërisë 95 për qind. Mostra është përfaqësuese në nivel të Maqedonisë dhe përfshin rajone, grupmosha, gjini dhe përkatësi të ndryshme etnike.



