LAJME

Akt simbolik në zemër të Serbisë, Ardita Sinani vendos flamurin kombëtar shqiptar në Komunën e Preshevës

Me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit Kombëtar dhe 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka vendosur flamurin kombëtar shqiptar në ambientet e Kuvendit të Komunës së Preshevës, raporton tvfesta.mk.

Vendosja e flamurit kuqezi në një institucion publik në territorin e Serbisë merr një domethënie të veçantë, duke pasur parasysh sfidat me të cilat përballen shqiptarët e Luginës së Preshevës në përdorimin e simboleve të tyre kombëtare.

Ky veprim i kryetares Sinani përçon një mesazh të guximit qytetar, krenarisë kombëtare dhe respektit ndaj historisë e identitetit shqiptar.

“Në shënim të 28 Nëntorit, kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, vendosi flamurin kombëtar në Kuvendin e Komunës, si shenjë nderimi për historinë, identitetin dhe vlerat tona. Gëzuar Ditën e Flamurit!”, thuhet në njoftimin e publikuar.

Për shqiptarët e Luginës së Preshevës, 28 Nëntori përtej karakterit festiv, simbolizon edhe përkushtimin për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe të drejtën për shprehjen e lirë të përkatësisë së tyre kombëtare. /tvfesta