KUMANOVË

Shkodran Alili dhe Lëvizja “Te Berza” nisin rikonstruimin e shkollës në Sopot të Kumanovës

Pikërisht në Ditën e Flamurit Kombëtar Shqiptar, më 28 Nëntor, kanë nisur punimet për rikonstruimin e objektit të shkollës fillore periferike “Braqa Ribar” në fshatin Sopot të Kumanovës, raporton tvfesta.mk.

Kjo nismë humanitare është ndërmarrë falë angazhimit të Lëvizjes “Te Berza” nga Kërçova, e udhëhequr nga Shkodran Alili, me qëllim përmirësimin e kushteve për zhvillimin e procesit edukativo-arsimor për nxënësit e kësaj shkolle.

Gjendja e rënduar infrastrukturore e objektit shkollor dhe mungesa e kushteve elementare për mësim kanë qenë arsyet kryesore që kanë nxitur këtë lëvizje të ndërmarrë një hap konkret në ndihmë të banorëve të Sopotit.

Shkodran Alili nga Lëvizja “Te Berza” theksoi se, duke pasur parasysh historinë dhe vuajtjet e këtij fshati, kontributi për të ardhmen e fëmijëve të Sopotit është një përgjegjësi e përbashkët.

“Jemi krenarë për këtë fshat dhe kjo është minimumi se çka mundemi ne, duke pasur parasysh historinë e këtij vendi, duke pasur parasysh vuajtjen e këtij vendi, siç e thashë edhe më herët, se përgjegjës ndoshta jemi shumë pak për të kaluarën, por përgjegjësinë më të madhe e kemi për të ardhmen e fëmijëve tanë. Edhe këto fëmijë kanë nevojë për të pasur një arsim cilësor, për të ëndërruar dhe për të realizuar ato ëndrra dhe ne duhet të gjithë së bashku, shqiptarët që jemi, të angazhohemi dhe të japim një kontribut”, theksoi mes tjerash Shkodran Alili.

Mirënjohje për këtë nismë shprehu edhe Shaban Limani nga Bashkësia Lokale e Sopotit, i cili falënderoi Alilin dhe ekipin e tij për kontributin e dhënë, duke vënë në pah kushtet e vështira në të cilat nxënësit kanë zhvilluar mësimin deri më tani.

“Unë e falënderoj përzemërsisht Shkodranin, edhe ekipin e tij, për ndihmën që na e kanë ofruar për shkollën, se shkolla me të vërtetë nuk ka pasur kushte për mësim. Kushtet janë të mjerueshme, po në të ardhmen fëmijët e Sopotit do të shohin pak kushte më ndryshe se si më parë”, u shpreh Shaban Limani.

Sipas donatorëve dhe kompanisë që po realizon punimet, projekti i rikonstruimit të objektit shkollor pritet të përfundojë brenda një afati prej vetëm 10 ditësh, duke u mundësuar nxënësve kushte më të dinjitetshme për zhvillimin e mësimit.

Nisma e Shkodran Alilit dhe Lëvizjes “Te Berza” nga Kërçova përbën një shembull të solidaritetit, humanizmit dhe përgjegjësisë shoqërore, duke dëshmuar rëndësinë e angazhimit konkret në shërbim të arsimit.

Nisja e punimeve pikërisht më 28 Nëntor i jep kësaj nisme një simbolikë të veçantë, duke e shënuar Ditën e Flamurit jo vetëm me urime e manifestime festive, por edhe me një vepër konkrete në shërbim të arsimit shqip dhe brezave të ardhshëm. /tvfesta