Një aksident i rëndë komunikacioni me pasojë lëndimin e dy personave ka ndodhur pasditen e së martës në Kumanovë, raporton tvfesta.mk
Sipas njoftimit nga Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Kumanovë, ngjarja ka ndodhur më 6 tetor 2026, rreth orës 18:00, në rrugën rajonale Kumanovë – Sveti Nikollë, përkatësisht në lagjen “Pero Çiço”. Në aksident janë përfshirë një veturë e tipit “Seat” me targa të Kumanovës, e drejtuar nga 29-vjeçarja S.S. nga Kumanova, dhe një motoçikletë, po ashtu me targa lokale, e drejtuar nga I.K. (49 vjeç).
Si pasojë e përplasjes, motoçiklisti 49-vjeçar ka pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa drejtuesja e veturës ka mbetur e lënduar. Të dy personat janë transportuar në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës, ku u është dhënë ndihma mjekësore dhe janë konstatuar lëndimet e tyre.
Ekipi kontrollues i SPB Kumanovë ka kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e plotë të aksidentit.

